Një nënë 42-vjeçare, Leta Koçi, hodhi foshnjën e saj të porsalindur në lumin e Tapizës. Ajo dyshohet të ketë lindur në banesë dhe e paasistuar nga asnjë mjek, madje gjatë gjithë shtatzënësie ajo nuk ka vajtur kurrë në spital.
Gazetarja Aida Topalli ishte këtë të mërkurë në “Good Morning Albanians” ku tha se vajza 22 vjeçe e 42-vjeçares, por edhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni se ajo ka qenë shtatzënë.
Sipas gazetares bashkëshorti i 42-vjeçares, pjesën më të madhe të kohës nuk ka qenë i pranishëm, ndaj kjo gjë ka ngritur dyshime se foshnja mund të ketë qenë nga një marrëdhënie jashtëmartesore.
“Edhe policia është shumë e ngatërruar sa i takon kësaj historie sepse nuk ka pasur bashkëpunim as nga ana e 42-vjeçares, por as nga familjarët e saj. Si vajzat e rritura dhe bashkëshorti kanë mohuar që të kenë ditur se ajo ka qenë shtatzënë, madje vetë 42-vjeçarja kur ka vajtur në spital nuk ka treguar që ishte post-lindje.
Ajo dyshohet të ketë lindur në banesë, e paasistuar nga asnjë mjek. Fëmijët e saj në deklaratën e bërë e përshkruajnë nënën e saj si një grua të mbyllur. Ajo ka 5 fëmijë, vajzat janë mbi 18 vjeç.
Vajza 22-vjeçare ka thënë se nëna nuk i kishte thënë se ishte shtatzënë. Bashkëshorti nga ana tjetër ishte në punë, se qëndronte në punë dhe i larguar për një kohë të gjatë familjes apo ishte në emigracion kjo duhet sqaruar, por edhe ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për shtatzëninë. Kjo ka bërë që policia të ketë dyshimin se fëmija ka ardhur nga një lidhje jashtëmartesore”,-tha Aida Topalli.