Janë duke vazhduar kërkimet e policisë për 3-vjeçarin të raportuar të zhdukur në Durrës, ku sipas nënës së fëmijët, janë pikërisht gjyshërit ata që e kanë rrëmbyer.
Aktualisht është ndaluar Rexhep Gjunin 58 vjeç, gjyshi i fëmijës, ndërsa policia është në kërkim të gjyshes, B. Gj., 57 vjeçe, e dyshuar se ajo ka marrë me vete nipin dhe është larguar.
Pas kontrolleve në disa shtëpi të zonës ku gjyshërit banojnë, 57-vjeçarja është shpallur në kërkim nga policia ndërsa bëhet me dije se në pranga ka përfunduar A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has.
“Kërkimet dhe veprimet e thelluara hetimore për rastin, po kryhen nga Policia e Durrësit, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Në vijim të punës që po kryhet nga Policia, me qëllim gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij, më datë 13.04.2024, dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij, si dhe me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale për këtë rast, ju informojmë se:
Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri.
Gjithashtu, është bërë ndalimi i shtetasve R. Gj., 60 vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has. Më tej, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Gj., 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has” njofton policia.