Gruaja kërkoi divorcin se nuk bënin dot fëmijë, burri bën gjestin përlotës

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” kohë më parë, ishte trajtuar historia e Nuredinit dhe Malvina Likës, të cilët kishin 5 vite të martuar dhe pavarësisht përpjekjeve nuk janë bërë dot me fëmijë, një shkak që e ka bërë Malvinën që të kërkojë divorcin. “Unë jam me origjinë nga Laçi, por që në moshën 13-vjeçare jetoj në Greqi. Në vitin 2013 kriza bëri të vetën dhe unë u ktheva në Shqipëri, isha 27 vjeç dhe beqar. Malvina për mua ishte dashuri me shikim të parë. Jemi njohur me rekomandim. U fejuam dhe pas një viti u martuam dhe qëndrova 2 vite në Shqipëri.

Më pas vendosa të kthehem sërish në Greqi pa Malvinën. Në atë periudhë Malvina ishte shtatzënë. Pasi, qëndrova 3 muaj në Greqi mora lajmin se nusja humbi fëmijën. U mërzita, qava dhe për 20 ditë u ktheva në Shqipëri. Ishte moment shumë i vështirë për mua. Ika sërish në Greqi dhe pas një muaji erdhi dhe Malvina dhe prej 4 vitesh nuk jemi ndarë më. Shtatzënia e dytë e ishte në 2018-ën në Shkurt dhe u ndërpre përsëri.

E përjetuam shumë keq të dy, por Malvina u mërzit shumë. Sot unë kam ardhur se asaj i ka hyrë në mendje diçka tjetër. Më thotë si ndihesh kur të pyesin a ke fëmijë. Më kërkoi divorcin sepse ndihet në siklet sepse nuk më ka bërë baba. Unë jam martuar me të, jo për fëmijë, kur ta shkruaj Zoti do kemi fëmijë. Ne duhemi të dy. I kam thënë që divorcin nuk do t’ia jap, do jem deri në vdekje me të. Sot kam ardhur që ti them që jo vetëm divorcin nuk do ia jap, por nga shtëpia ime nuk do të ikë kurrë. Dua ta falenderoj shumë edhe për sakrificën që ka bërë për familjen time”, tregoi Nuredini.

Më pas historinë e rrëfeu Malvina, por ajo nuk e dinte që bashkëshorti po e dëgjonte dhe mendonte se ishte ajo që e kishte ftuar atë. Malvina tregoi historinë e dashurisë, humbjen e dy shtatzënive dhe se çfarë e çoi të kërkoj divorcin. “Arsyeja se përse kam ardhur është se kam ftuar bashkëshortin tim, Nuredinin. Kam 6 vite që jam bashkë me të. Për fat të keq Zoti nuk ka dashur të na gëzojë me një fëmijë deri tani.

Pas 6 muajsh martesë unë mbeta shtatzënë dhe nga gëzimi i tepërt Dini edhe nëse ishte në një kafene më merte dhe më thoshte: “Si është bebushi babit”. Por kjo lumturi nuk zgjati shumë. Në vizitën e radhës mjeku më thotë se shtatzënia është ndërprerë dhe duhet të abortoja. E përjetuam shumë keq. Dinin nuk e njoftova që ditën që abortova. Lajmin ia ka dhënë vjehrra. U mërzitëm shumë për muaj të tërë. Nuredini u kthye nga Greqia dhe me mori me vete. Pas 6 muajsh pasi isha larguar më vjen lajmi se babai im kishte ndërruar jetë, por nuk munda të vi për arsye dokumentash. Mamaja ime më tha: Kur nuk erdhe për babain, nëse vdes unë as për mua mos eja. Nuk dua të jesh e pranishme.

Tani i kemi rregulluar marrëdhëniet. Humbjen e babait e përjetova keq dhe gati kalova në depresion. Ishte bashkëshorti im që u largua nga puna dhe për muaj të tërë ishte pranë meje. Ishte ai që më dha dorën të ngrihesha. Një vit më vonë mbes sërish shtatzënë, nuk e besoja. Mjekët janë të habitur me rastin tim. Unë e çoj shtatzëninë deri në javën e 12-të. Kemi qenë në disa klinika. Dinin sot e kam ftuar ta falenderoj për gjithçka që ka bërë për mua. Para një muaji për arsye familjare u ktheva në Shqipëri dhe çdo ditë takoja njerëz që më thonin:

“Çfarë po bëni… U bënë 5 vite dhe ju akoma nuk jeni bërë prindër. Dini ka moshën të ketë një fëmijë”. Kalova në një moment që s’po duroja dot dhe i them Dinit që nuk do të kthehem më në Greqi, kurdo që të kthehesh ne do të bëjmë ndarjen. Ia kërkova këtë sepse e përjetova shumë keq faktin që çdo ditë më pyesnin për këtë gjë. Dini ka shumë dëshirë të ketë një fëmijë”, tregoi Malvina.

Nuredini e surprizoi Malvinën me një tufë me lule dhe e përqafoi.
“Falemindërit për gjithça që ke bërë për mua. Në krahët e tua e kam ndjerë veten si princeshë dhe të dua më shumë se jetën time”, i tha Malvina bashkëshortit. Tv Klan

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes