“Sanitare 1000 euro në muaj”/ Mungesa e personelit detyron punëdhënësit të rrisin pagat në vendin tonë

Mungesa e fuqisë punëtore, e ndikuar nga lëvizjet demografike dhe plakja e popullsisë ndër vite, vijon të shtojë kërkesën për punësime për staf shërbimi me rroga deri 1,000 euro në muaj, kryesisht në zonat bregdetare.

Përveç punësimeve për shefa kuzhine me paga nga 3,000 – 3,500 deri në 5,000 euro në muaj në struktura të veçanta, apo kameier me pagë 1,000 euro dhe ndihmëskamarier me pagë 800 euro, tashmë nga bizneset në Jug po kërkohen edhe punonjëse për pastrimin me pagë mujore 800 deri në 1,000 euro.

Në njoftimin e ngjitur në një nga pallatet zonës “5 maji” në Tiranë, një biznes në Sarandë ofron punësim për punonjëse pastrimi, me pagë nga 800 deri në 1,000 euro në muaj, përfshirë akomodim dhe ushqim falas.

“Kërkohen sanitare për sezonin veror në Sarandë. Akomodimi dhe ushqimi falas. Paga 800 deri në 1000 Euro”, thuhet në njoftim.

Pagesat e punonjësve të pastrimit janë shtrenjtuar edhe në Tiranë. Tarifa e kërkuar për një orë pastrim varion nga 500 lekë deri në 1,000 lekë.

Nga ekspertët e sektorit të punësimit, u parashikua që edhe sivjet, oferta më e madhe për punësime me paga të larta do të jetë nga bizneset HoReCa (Hotele-Restorante-Katering) në bregdet, të cilat e kanë të pamundur të plotësojnë stafet nga fuqia punëtore e zonave, çka ka sjellë transferimin e përkohshëm të atyre nga  Tirana apo zona të tjera.

“Kjo dukuri është përforcuar sidomos gjatë dy viteve të fundit. Për ta lehtësuar këtë proces dhe për të rritur mundësinë e zgjedhjes së fuqisë punëtore më të kualifikuar operatorët ofrojnë akomodim, ushqim falas, etj. për fuqinë e tyre punëtore, që transferohet tek ata nga  Tirana apo zona të tjera relativisht larg nga zona ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre të biznesit”, pohoi më herët për Monitor Indrit Puteci drejtues i agjencisë së rekrutimit “Profesionisti” të Çelësi Group.

Henri Jahja, kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, pohoi më herët se bizneset që ofrojnë paga të ulëta e kanë të vështirë mbajtjen e punëtorëve. Për zgjidhjen e krizës së fuqisë punëtore sipas tij ka ardhur kohë që në tërësi sektori duhet të ndryshojnë sjellje ndaj punonjësve, si për oraret e punës, ofrimin e ushqimit ndaj personelit, si dhe të rishikojnë sërish pagat.

“Puna jashtë orarit duhet të paguhet. Bizneset duhet të rishikojnë edhe rrogat e punonjësve, pasi duke rritur pagat nuk është e nevojshme më të mbahen 2 punonjës për të bërë 1 punë. Ndërsa për sa i përket ofrimit të ushqimit për personelin është një çështje që nuk diskutohet më në të gjithë botën, kurse te ne disa e japin, të tjerë e konsiderojnë luks”, pohoi ai.

Jahja sakaq tha me herët se rritja e kostos për mbajtjen e fuqisë punëtore me paga të lartë ka shtrenjtuar çmimet e restoranteve në Vlorë dhe Sarandë nga 26 deri 33%.

“Nëse vjet çmimi minimal për person në restorantet e këtyre qyteteve varionte nga 2,000 deri 2,200 lekë, këtë sezon ka arritur deri 3,000 lekë për person”.

Në terësi në sektorin e bareve dhe restoranteve sipas të dhënave të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, si në nivel menaxherial edhe për stafin e brendshëm, rrogat e punonjësve janë gati dyfish më të larta se vitin e kaluar. /MONITOR

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes