Kujdes! Prej 1 korrikut, ndryshon koefiçienti i rivlerësimit të pagave për llogaritjen e pensionit

Prej datës 1 korrik të këtij viti ndryshon koefiçienti i rivlerësimit të pagave për efekt të llogaritjes së pensionit.

Thënë ndryshe, llogaritja e pagave përpara vitit 1994 do të bëhet me koefiçientin 12.257, duke sjellë reflektim në nivelin e pagave për të paktën 83 profesione.

Kujtojmë që për të paktën dy vite nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë aktuale.

Ky është një lajm i mirë për pensionistët që dalin rishtas në pension, pasi rivlerësimi i pagave mbi bazën e të cilave janë derdhur kontributet iu jep mundësi atyre të përfitojnë më tepër.

Ndikim në këtë rast ka paga mbi bazën e së cilës janë paguar kontributet.

Rrjedhimisht, sa më e lartë të jetë baza e vlerësueshme për efekt të llogaritjes së pensionit, aq më i lartë do të jetë edhe pensioni mujor.

Për ta kuptuar me shembull konkret.

Nëse një person që ka punuar në metalurgji dhe paga për efekt të llogaritjes së pensionit është 3392 lekë, me koenfiçientin e ri kjo pagë shumzohet me 12.257 dhe kjo pagë del 41.575 lekë.

Këtë vit llogariten rreth 20 mijë persona që plotësojnë moshën ligjore për të dalë në pension, dhe që përfitojnë nga koefiçientët e rinj.

Në projektvendimin e hartuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore përcaktohet edhe një tavan për pagat e rivlerësuara.

Kjo do të thotë që pas indeksimit ato nuk mund të jenë më të larta se trefishi i pagës minimale apo se paga maksimale.

Aktualisht formula e llogaritjes së pensionit përcakton një pension bazë dhe shtesën.

Pensioni bazë është 9327 lekë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit është 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara