Sa vite të ardhura i duhen një familjeje shqiptare për të blerë një apartament?

Shqipëria renditet e treta në Europë pas Bjellorusisë dhe Rusisë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve, në raport me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Numbeo (via Monitor.al).

Indeksi për përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti që matet nga raporti i çmimit mesatar të shitjes së shtëpive dhe të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, e shprehur si vite të ardhurave, për Shqipërinë është 15,8.

Kjo shifër nënkupton që një familje shqiptare i duhen rreth 16 vite të ardhura për të blerë një apartament. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie për 20 vjet. Sa më i ulët të jetë ky raport, aq më të lehtë e kanë familjet për të blerë një shtëpi.

Përkeqësimi i aftësisë blerëse të një apartamenti lidhet me rritjen shumë më të ulët të të ardhurave në raport me shtrenjtimin e shtëpive.

Nga viti 2014 (periudha më e hershme kur INSTAT raporton të dhënat), paga mesatare në vend sipas INSTAT është rritur me 25% deri në fund të vitit 2021. E indeksuar me inflacionin mesatar vjetor, rritja e pagave në 7 vjet është vetëm 12%. Ndërsa sipas Indeksit të Bankës së Shqipërisë, çmimet e apartamenteve janë rritur me 60% për të njëjtën periudhë.

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes