Të paktën 16 persona u shtruan në spital dhe 25 dyshohet se kanë vdekur sot në Tajlandë kur një autobus shkollor që transportonte rreth 44 nxënës dhe mësues u dogj në periferi të Bangkok, njoftuan agjencitë. Ministri i Brendshëm Anutin Charnvirakul tha se numri i saktë i të vdekurve nuk mund të konfirmohet ende, sepse hetimi nuk ka përfunduar, por bazuar në numrin e të mbijetuarve, ai tha se kishte frikë se 25 persona kishin vdekur, raportoi AP.
Ai tha gjithashtu se autobusi ishte ende “shumë i nxehtë” që ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit të hynin të sigurt. Agjencia Reuters bëri të ditur se ende nuk është bërë e ditur gjendja e pasagjerëve të tjerë.
Gjashtëmbëdhjetë studentë dhe tre mësues u dërguan në spital për trajtim, tha Ministri i Transportit i Tajlandës Surya Jungrungruengkit, duke shtuar se shkaku i përplasjes po hetohet, megjithëse një punonjës shpëtimi tha se zjarri ka të ngjarë të ketë filluar pasi njëra prej gomave shpërtheu. Autobusi po transportonte 44 pasagjerë nga provinca qendrore e Utai Thani në Ayutthaya në një udhëtim shkollor kur zjarri shpërtheu rreth mesditës në provincën Pathum Thani, një periferi veriore e kryeqytetit, u tha ministri gazetarëve.