Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Sllatina të Tetovës në Maqedoninë e Veriut, ku një burrë ka vrarë gruan, vajzën e mitur dhe ka plagosur rëndë djalin 9-vjeçar.
Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe policia e Tetovës, e cila thekson se pasi ka marrë njoftimin nga mjeku T.J mbi rastin ka shkuar menjëherë në venngjarje ku ka gjetur pa shenja jete 36-vjeçaren K.Sh dhe vajzën e mitur.
Ndërkohë që është dërguar me urgjencë në spital djali 9-vjeçar i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, po ashtu edhe 50-vjeçari R.Sh i dyshuar si autor i krimit është dërguar në spital, dhe më pas është shoqëruar në komisariat.
Mediat raportojnë gjithashtu se ka qenë nëna e 36-vjeçares e cila ka qenë e para që ka mbërritur në vendngjarje dhe ka parë skenën e krimit, pasi kishte telefonuar disa herë vajzën dhe ajo nuk i ishte përgjigjur.
Njoftimi i policisë:
Sot (8 -tetor) rreth orës 14:00 në SPB Tetovë T.J. nga Tearca në cilësinë e mjekut ka raportuar se është thirrur për intervenim në fshatin Sllatinë nga M.Z. nga Sllatina e Tetovës, e cila në shtëpinë e tyre familjare ka gjetur pa shenja jete vajzën e saj K.Sh (36) dhe mbesën e saj të mitur, ku është konstatuar vdekja.
Menjëherë pas raportimit është vepruar dhe është siguruar vendi ku ekipi nga SPB Tetovë në bashkëpunim me prokurorin publik kanë kryer inspektimin dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të të ndjerëve janë dorëzuar për obduksion, ndërsa bashkëshorti i saj R.Sh. (50) së bashku me djalin e tij të mitur, do të transferohen për ndihmë mjekësore në Spitalin klinik të Tetovës, e më pas personi R.Sh. do të ndalohet në Komisariat për veprime të mëtejshme.