Edhe pse kemi hyrë në muajin nëntor, edhe këtë javë nuk pritet të ketë reshje shiu. Meterologu i Meteoalb, Hakil Osmani thotë se moti do të jetë i qëndrueshëm, teksa temperaturat do të jenë deri në 25 gradë.
“Vendi ynë gjatë kësaj jave do të jetë në mbizotërimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike për gjatë gjithë 24 orësheve, duke bërë që kjo fillim jave të jetë nën mbizotërimin e intervaleve të gjata me kthjellime të cilat, më të dukshme, pritet të jenë në ultësirën perëndimore në orët e para të ditës, ndërsa pasditja, herë pas here, sjell kalime të lehta të vranësirave, të cilat më të shpeshta do të jenë në zonat malore.
Përsa i përket pjesës së dytë të javës, parashikohen që vranësirat të bëhen disi më prezente dhe të shfaqen edhe në qytetet e zonës së ulët dhe vijën bregdetare, por më të fokusuara mbeten në zonat veriore dhe në shtrirjen lindore, por nuk pritet të kemi mundësira për reshje. Përsa i përket temperaturave të ajrit, në orët e para të mëngjesit dhe gjatë mbrëmjes do të kemi temperatura të freskëta, pasi presim vlera minimale në qytetet e zonave malore, në zero apo 1 gradë celcius. Maksimumet do të kemi në vlerat 24-25 gradë”, theksoi ai.