Kanë rinisur procedurat për emrin e stadiumit kombëtar të Shqipërisë, i quajtur aktualisht me emrin komercial “Air Albania”.

Stadiumi i quajtur dikur “Qemal Stafa” u rikonstruktua pesë vite më parë dhe siç e parashikon kontrata, emri i vendoset përmes një procesi publik me oferta nga kompani që plotësojnë disa kritere.

Mbetet për t’u parë nëse stadiumit do t’i mbetet emri “Air Albania” apo do të ndryshojë sërish.

Njoftimi dhe kriteret për kompanitë që aplikojnë:

Të drejtat e emërtimit për Stadiumin Kombëtar, ofrojnë një platformë unike, për të përforcuar dukshmërinë, rritjen e popullaritetit të markës tuaj dhe për të angazhuar një audiencë shumë të gjerë dhe të apasionuar. Partneri i suksesshëm do të përfitojë nga:

Ekspozimi i gjerë mediatik:

Stadiumi pret aktivitete me profil të lartë, përfshirë ndeshjet e futbollit të ekipeve kombëtare, ndeshjet kombëtare me profil të lartë, garat ndërkombëtare sportive dhe ngjarjet kulturore, duke tërhequr një mbulim të konsiderueshëm mediatik brenda dhe jashtë vendit.

Integrimi dhe prezantimi i dukshëm i markës:

Integrim i plotë i markës brenda stadiumit, përfshirë tabela të dukshme, ekrane digjitale dhe marka në bileta, tabela në flesh zona, sallat e konferencave të shtypit dhe zonat mix (ku zhvillohet i gjithë proçesi i intervistave të cilat transmetohen jo vetëm live gjatë zhvillimit të eventit, por edhe më pas në të gjitha edicionet informative, në emisionet e tjera, që i bëjnë jehonë eventit). Kjo garanton shikueshmëri të lartë dhe siguron dukshmëri të gjerë të markës.

Angazhimi digjital dhe në mediat sociale:

Angazhim me një komunitet shumë të madh online, përmes kanaleve digjitale të stadiumit dhe sidomos atë të FSHF dhe ekipit kombëtar, përfshirë përmbajtje të bashkë-markuar dhe aktivitete interaktive me tifozët.

Mundësi Ekskluzive të Sponsorizimit dhe Paketat e Mikpritjes:

Shijoni paketa VIP, akses në vendet premium dhe mundësi për të organizuar evente korporative, duke ofruar një mjedis unik për rrjetëzim dhe argëtim klientësh.

Iniciativa të komunitetit dhe përgjegjësisë sociale:

Lidhuni me komunitetin lokal përmes përfshirjes në programe për zhvillimin e të rinjve, projekte sportive të nivelit bazë dhe aktivitete të tjera të fokusuara në komunitet, duke demonstruar përkushtimin tuaj ndaj përgjegjësisë sociale.

Përfitimet e partneritetit afatgjatë:

Një marrëveshje afatgjatë ofron dukshmëri të vazhdueshme të markës dhe lidhje me trashëgiminë e stadiumit. Në fund të fundit, stadiumi është një pjesë e rëndësishme e historisë dhe sa më afatgjatë të jetë bashkëpunimi aq më shumë rritet vlera e emrit. Kjo siguron përfitime të vazhdueshme të marketingut dhe duke përforcuar pozicionin e markës tuaj në sektorët sportiv dhe kulturor.

Paraqitja e Shprehjes së Interesit

Palët e interesuara janë të ftuara të dorëzojnë një Shprehje Interesi brenda datës 30 Nëntor 2024 e cila të përfshijë:

Profili i Kompanisë: Një përmbledhje e shkurtër e organizatës, përfshirë përvojën dhe arritjet përkatëse.

Kontaktin: Ju lutemi të siguroni të dhënat e kontaktit të përfaqësuesit ligjor të kompanisë dhe referencave kryesore të përfshira në këtë projekt.

Përmbledhje e vizionit dhe objektivave të markës: Një përmbledhje e vizionit të markës dhe objektivave të komunikimit, duke shpjeguar se si ky partneritet përputhet dhe përmirëson strategjinë tuaj të përgjithshme të markës.

Përmbledhje e propozimit: Një përmbledhje e nivelit të lartë të partneritetit të propozuar për të drejtat e emërtimit, përfshirë objektivat kryesore, strategjitë për shfrytëzimin e partneritetit dhe çdo ide inovative për aktivizim.

Oferta financiare: Një propozim financiar indikativ që përshkruan kushtet e investimit për të drejtat e emërtimit.

Informacion shtesë: Çdo informacion shtesë që mbështet propozimin, si raste studimore të sponsorizimeve të mëparshme etj.

Vlerësimi i propozimeve

Dorëzimet do të vlerësohen bazuar në këto kritere:

Përputhja me vlerat dhe vizionin e Stadiumit Kombëtar dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Aftësia e propozuesit për të maksimalizuar vlerën e partneritetit të të drejtave të emërtimit.

Përkushtimi financiar dhe kushtet e propozuara.

Krijimtaria dhe inovacioni në strategjitë e propozuara të aktivizimit.

Ju lutemi të paraqisni propozimet tuaja në format elektronik në [email protected] brenda datës 30 nëntor 2024. Për çdo pyetje ose informacion të mëtejshëm, jeni të lutur të na kontaktoni në [email protected].