Reshjet e shumta kanë përfshirë vendin dhe sipas meteorologes Lajda Porja dhjetori do jetë një miks mes vjeshtës dhe dimrit ku në të shumtën e ditëve do kemi reshje shiu të cilat do largohen herë pas here.
“Dita e dielë ka shënuar reshje mjaft të dendura dhe kemi pasur reshje dëbore kryesisht në zonën e veriut, në Malësinë e Madhe dhe në zona të thella ku trashësia e borës shkon deri në 50 cm në lartësitë mbi 800-900 metra ndërkohë që gjithë territori i vendit është i përfshirë nga reshjet e shiut. Intensiteti i shirave ka qenë i lartë dhe kryesisht kemi pasur rrebeshe” tha Porja.
Ajo tha se në orët në vijim do të kemi një rënie të intensitetit të reshjeve në zonat qëndrore përfshirë këtu dhe Tiranën.
“Parashikohet një situatë e paqëndrueshme deri në ditën e mërkurë. Edhe të martën do kemi reshje por me intensitet më të ulët dhe do kemi dhe një rritje të temperaturave. Reshjet e shiut largohen të enjten dhe të premten për tu rikthyer në fundjavë”, tha Porja.
Meteorologia Lajda Porja tha se temperaturat janë tipike për dimrin ku sipas saj minimalja ka qenë -2 gradë Celsius në Peshkopi dhe maksimalja deri në 15 gradë Celsius në Fier e Sarandë ndërsa Tirana dhe Vlora deri në dhe 14-15 gradë Celsius.
“Temperaturat do të jenë konstante deri të premten kur të përfshihemi në një masë të ftohtë me temperatura deri në -5 gradë Celsius. Të shtunën dhe të dielën rriten këto temperatura por favorizohen reshjet e shiut. Me pak fjalë do të kemi një javë dinamike e cila do të jetë një alternim mes vjeshtës dhe dimrit. Prandaj dhjetori parashikohet i rrëmujshëm dhe i paqëndrueshëm, herë me reshje herë jo, e mbylli fjalën e saj meteorologia Lajda Porja.