Televizioni “Ora News” ngriti alarmin për “zhdukjen” e 1.809.054 (një milion e tetëqind mijë) litra pijeve të skaduara “Coca – Cola”.
Ngelet enigmë se ku kanë përfunduar pijet e skaduara, sepse Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka asnjë informacion për asgjësimin, edhe pse ligjërisht ne këtë proces duhet të marrin pjese Inspektorët e Mjedisit për të faktuar me foto dhe video praktikën e asgjësimit.
Skandali thellohet më tej për faktin se në këtë proces kanë qenë prezent vetëm inspektorët e AKU-t, të cilët në procesverbalin e inspektimit kanë shkruar e firmosur se të pranishëm në këtë procedurë janë edhe Inspektorët e Mjedisit.
Në vendimin përfundimtar citohet: “Gjatë procesit të asgjësimit ishin të pranishëm dhe inspektorët e Tatimeve dhe ata të mjedisit”.
Në faktet e bëra publike nga “Ora News” rezulton se përgjatë vitit 2019 AKM nuk ka asnjë informacion për asgjësimet që ka bërë “Coca-Cola” dhe inspektorët nuk kanë qenë të pranishëm.
Për të favorizuar subjektin 2 inspektoret e AKU me iniciale M. A dhe M. D kanë konfirmuar pjesëmarrjen e Inspektorëve të Mjedisit dhe kjo skemë është ndërtuar për të dhënë vendimin përfundimtar se procedura e asgjësimit është kryer konform legjislacionit në fuqi.
Televizioni “Ora News” ka kryer një investigim më të thelluar duke i kërkuar AKU-së edhe listën e pijeve të skaduara që janë asgjësuar njëkohësisht edhe fotot ose videot e asgjësimit.
AKU nuk na vë në dispozicion asnjë foto ose video të asgjësimit të pijeve të skaduara dhe akoma më tej, tenton të fshehë shkeljet kur shprehet se lista e pijeve të skaduara të “Coca – Cola”-s është e arkivuar dhe kërkon kohë të përgatitet.
Edhe pas 3 muajsh pritjeje nuk na u vu në dispozicion nga AKU as lista e pijeve që shkuan për asgjësim dhe as foto dhe video nga procesi i eliminimit.
Për të sqaruar këtë situatë ju drejtuam me një kërkesë specifike për informacion edhe subjektit “Coca-Cola Shqipëri”.
Ky subjekt në përgjigjen e tij na bën me dije se proceset në lidhje me produktet e skaduara ndjekin ligjet në fuqi dhe janë të verifikueshme nga autoritetet kompetente.
Pikërisht autoritet që monitorojnë punën tuaj kanë konstatuar një varg shkeljesh dhe duhet guxim të deklarosh se ndjek ligjet, ndërkohë që i shkel ato.
Pse hesht “Coca-Cola” kur i kërkohen foto dhe video nga procesi i asgjësimit?
Pse nuk jep informacion se cili është vendi ku u krye asgjësimi i pijeve të skaduara?
Si ka mundësi që ky subjekt del mbi ligjet duke mos vënë në dijeni Inspektoriatin e Mjedisit për asgjësimin e pijeve të skaduara?
Ku përfunduan 1.8 milion litra pije të skaduara “Coca –Cola”?
Kësaj pyetjeje nuk i dha dot përgjigje as Agjencia Kombëtare e Mjedisit, as “Coca-Cola”, dhe as AKU, i cili nuk na vuri në dispozicion listën e pijeve të skaduara dhe fotot, ose videot nga momenti i asgjësimit.Ora News