Trupi i gjetur pranë termocentralit Enel në zonën Castel Giubileo të Romës është ai i Suzanna Koçibellit, 62-vjeçarja shqiptare e cila humbi kontaktet me familjen e saj rreth dy javë ditë më parë.
Zbulimi u bë ditën e djeshme, të 15 janarit dhe ka ndodhur në orët e para të pasdites. Alarmi u ngrit nga punonjësit e uzinës, të cilët kanë vënë re trupin e pajetë të gruas në ujë.
Kur mbërriti telefonata në numrin e vetëm të urgjencës 112, karabinierët dhe mjekja ligjore ndërhynë në vendngjarje dhe kryen kontrollet e zakonshme. Suzanna ishte gjashtëdhjetë e dy vjeç dhe u zhduk më 10 janar nga Prima Porta. Ajo u largua nga shtëpia dhe u zhduk pa lënë gjurmë.
Nga sa raportohet nga këqyrja fillestare e jashtme e kryer në trup, nuk ka shenja dhune. Hipoteza është se është një vetëvrasje pasi më herët familjarët kanë shprehur shqetësimin duke zbuluar se ajo vuante nga depresioni. Trupi kishte disa ditë në ujë.
Pas përfundimit të hetimeve në vendin e zbulimit, trupi i pajetë është transferuar në morg dhe ndodhet në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor, i cili do të vlerësojë nëse do të urdhërojë autopsinë. Autopsia do të zbulojë shkakun e saktë të vdekjes.
Familja e Suzanës, duke parë mungesën e saj nga shtëpia, ka denoncuar në polici për zhdukjen e saj.
“Për herë të fundit e pashë nënën time dje në mbrëmje, një mbrëmje para zhdukjes së saj, sepse jetojmë në të njëjtën ndërtesë në shtepi te ndryshme ishte me pizhame, por nuk e di çfarë kishte veshur kur doli jashtë. Mami kthehu në shtëpi jam e shqetësuar, të dua”, deklaroi vajza e saj për gazetën italiane “Fanpage.it”.
Shpresa deri në fund ishte ta gjente të gjallë dhe se shpejt do të kthehej në shtëpi te të dashurit e saj. Fatkeqësisht, pas dy javësh, kërkimet përfunduan me rezultatet më të këqija të mundshme.