Zbardhja e përgjimeve që i shërbyen vendimit të Apelit të GJKKO-së për të lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ka nxjerrë në dritë shumë më tepër sesa fjalë të ashpra e presion mbi drejtësinë. Më shumë sesa udhëzimet për “ushtrimin e presionit mediatik”, zbardhja e përgjimeve tregon për një prishje të thellë të balancave brenda Partisë Socialiste dhe një sinjal të qartë se kryeministri Edi Rama ka orkestruar gjithçka. Në bisedat e përgjuara nga burgu i Durrësit, Veliaj shfaqet në panik, që numëron ditët me shpresën e lirimit.
Në një telefonatë me të vëllanë, Arbërin, ai e shpreh hapur strategjinë për datat 11 dhe 12 mars, kur pritej shqyrtimi i apelit: “Duhet mbajt presingu Lal, se dita e martë është e pandryshueshme, kshu që katër ditë kemi. ‘Three days to freedom’.” E njëjta qasje del edhe në bisedën me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ku ai i kërkon që të ndikojë në media që “ta mbajnë presionin” sepse “këto katër ditë janë vendimtare. O dal tani, o rri edhe katër muaj. Kismet Gjykata e Lartë, po ajo vjen pas zgjedhjeve”. Që Veliaj kishte ende besim te mbështetja politike, duket qartë. Por si përfundoi në këtë pikë?
Edi Rama i mbylli derën
Në dosjen e përgjimeve del hapur pakënaqësia e thellë e Veliajt ndaj Ulsi Manjës, ministrit të Drejtësisë. Ai e etiketon si “qelbësirë”, “katundar”, dhe shkon deri aty sa të thotë se “do ta mbysë me thonj”. Por a kishte Manja fuqinë për të penguar lirimin e Veliajt? Apo ndonjë tjetër i dha sinjalin për të tërhequr dorën? Dyshohet se prapa refuzimit të skemës së Veliajt për të ndikuar mbi sistemin e drejtësisë qëndron vetë Edi Rama. Pikërisht në një moment kur Veliaj po orkestronte një operacion propagandistik me ndihmën e njerëzve të afërt, Rama i mbylli derën.
Një nga rastet që nxjerrin përgjimet është lajmi që dyshohet se donte të inskenonte Veliaj në media se prokurori Ols Dado mund të ketë marrë 2 milion euro që ta fundoste. Në dosje thuhet se Veliaj flet me bashkëshorten, i kërkon këshillë Mero Bazes, i cili thotë: në fillim të dalë lajmi, pastaj dëshmitarët, pastaj të flasë Erioni. Dhe kështu ndodh, por gjithçka ngec rrugës, sepse e refuzon kryeministri Edi Rama. Kjo ishte pika ku Veliaj kuptoi se loja kishte mbaruar dhe se ishte vetëm.
Të tjera përgjime
Nga ana tjetër, një tjetër përgjim del kur Veliaj, në bisedën me Arbër Veliajn, i kërkon këtij të fundit që në lidhje me fushatën mediatike që kanë ndërmarrë të kenë dhe mbështetjen e “redaktorit”. Arbër Veliaj i konfirmon se i kanë thënë se kanë mbështetjen. Veliaj shkon dhe më tej kur i trajton njerëzit rreth tij si ushtarë. “Në bisedën në orën 10:41 me vëllain e tij, Erioni i kërkon Arbrit të bisedojë me Meron dhe me të gjithë ata se nuk duhet të perceptohet që e kanë lëshuar veten tani në fund”, thuhet në përgjimet që disponon CNA. Veliaj përmend një person me emrin Fatmir që mendohet se është Xhafaj të cilin e konsideron pjesë të ushtrisë së tij.
Xoxa i konfirmon tensionet brenda PS
Madje, në një nga këto përgjime, del se ai ishte vënë në dijeni dhe për tensionet mes Etjen Xhafaj dhe Edi Ramës. Në orën 19:52 Erion Veliaj bisedon me Ajolën dhe e pyet se çfarë ka ndodhur ndërmjet Ramës dhe Etjenit, pasi ka dalë te lajmet dhe ka shkruar një status te chati i deputetëve ku thuhet se “Erjoni nuk mbrohet sikur je në kafe”, dhe i kërkon të investigojë pasi do ta telefonojë sërish, Erioni tregon se duhet ta dijë Arbëri dhe Fuga. Në orën 20:16, Erion Veliaj bisedon me Ajolën, ku kjo e fundit i tregon se Etjeni ka dalë në një emision, diçka e tillë, dhe ka bërë një mbrojtje siç e ka menduar ai, që Erjoni është i pafajshëm, duke mbajtur një qëndrim personal pro tij.
Gjatë komunikimit ndërmjet tyre, Erioni i tregon se Arbëri i ka sugjeruar që të mos shkojë në seancën e të martës dhe i kërkon që të bisedojë me njerëzit pranë saj, pasi Erioni i thotë se i intereson që të vazhdojë debatin me ata të dy, sepse me Banin dhe me Olsin janë bërë hasha. I kërkon që të bisedojë me Maznikun, ose me Fugën që këta të pyesin Redaktorin dhe t’i japin një fedback nëse duhet ta bëjë betejën, duke qenë se seanca regjistrohet, regjistrim i cili u duhet edhe për gjërat më tej. Erioni i tregon se “ata” janë përgatitur për një seancë gjyqësore 30 minuta nëse do të jetë vetëm Ermiri si avokat, dhe nëse Erioni (ai) do të jetë në seancë do t’i mbajë 3 orë me një fjalim pa fund për të gjitha gjërat.
I kërkon Ajolës që t’i printojë statuset që ka publikuar në rrjetet e tij me qëllim që të flasë për këto gjëra në seancë gjyqësore. I thotë se nëse nuk i ka printuar, e bën Albani në çast. Vijon dhe i kërkon që të pyesë Redaktorin se si duhet të veprojë për të martën. Më pas në komunikim ndërhyn Arbër Veliaj, të cilit i thotë se duhet pyetur Redaktori nëse duhet të shkojë në seancë të martën dhe duhet të marrë përgjigje për këtë”, thuhet në materialet e përgjimit të Erion Veliajt në paraburgimin e Durrësit