DHIMBJE E MADHE/ Përmbyset autobusi, humbin jetën 11 persona, mes tyre dhe dy fëmijë

Një aksident tragjik ka ndodhur në Brazil, ku një autobus pasagjerësh është përmbysur dhe si pasojë kanë humbur jetën 11 persona. Afro50 pasagjerë ishin në autobusin që udhëtonte nga shteti i Goias për në Ribeirao Preto në Sao Paulo kur shoferi humbi kontrollin e automjetit në komunën e Araguari. Dhjetë persona, mes të cilëve edhe fëmijë të moshës nga 2 deri në 4 vjeç, humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër vdiq për shkak të plagëve në një spital lokal, tha policia.

Kujtojmë se ky është aksidenti i tretë me autobus që ndodh në Brazil brenda pak muajve, pasi në shkurt, një autobus që transportonte studentë të universitetit dhe një kamion u përplasën në një autostradë në shtetin Sao Paulo, duke vrarë 12 pasagjerë, ndërsa në dhjetor një aksident mes një autobusi pasagjerësh dhe një kamioni vrau gjithashtu 38 persona në një autostradë në shtetin Minas Gerais.