Sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta legjenda e futbollit shqiptar

Futbolli shqiptar ka humbur sot një tjetër emër shumë të njohur që ka bërë historinë në vendin tonë, duke qenë për shumë vite një nga emrat më të spikatur, portierin shkodran Paulin Ndoja.

Ndoja u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare në Itali, ku jetonte kohët e fundit. Ai ka qenë pjesë e brezit të artë të futbollit shkodran në vitet ’60-‘70 përkrah emrave si Zhega, Rragami e Bizi, ndërsa përveç fushës së lojës, ka qenë edhe një trajner që ka përgatitur brezat pasardhës.

Ndoja, i cili ka marrë titullin :Mjeshtër i Madh:, ka qenë kampion dhe fitues i Kupës me Vllazninë, ndërsa në vitet ’70 ishte një nga futbollistët që u largua nga fusha e lojës për çështje biografie. Megjithatë, ai nuk u nda nga futbolli, por u kthye si trajner portierësh, duke u kthyer në një mësues për shumë breza.

“Panorama Sport” i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Ndoja për humbjen e njeriut të dashur.